[8.1] Të pyesin ty (Muhammed) për plaçkën (e fituar në luftë), thuaju: “Plaçka, (mënyra e ndarjes së saj) është çështje e All-llahut dhe të dërguarit, prandaj kini frikë All-llahun, përmirësoni gjendjen e unitetit tuaj dhe nëse jeni besimtarë, respektone All-llahun dhe të dërguarin e Tij.

[8.19] Nëse ju (idhujtarë) kërkuat fitore, ja, ku e keni fitorën, po nëse hiqni dorë (nga lufta kundër Pejgamberit), ajo do të jetë në dobinë tuaj, e nëse ju ktheheni, edhe Ne kthehemi. Ana (grumbulli) juaj nuk do t’ju vlejë asgjë edhe nëse është e madhe, sepse All-llahu është me besimtarët.

[8.41] Ju (besimtarë) ta dini se një e pesta e asaj që fituat, nga ndonjë send, i takon (përkujtuesve të) All-llahut, të dërguarit të Tij, të afërmve të tij (të dërguarit), jetimëve, nevojtarëve dhe atyre në mërgim, (ky është përcaktimi i Zotit), nëse keni besuar All-llahun, dhe atë, (Kur’anin) që ia zbritëm robit Tonë (Muhammedit) ditën e furkanit (ditën e Bedrit, kur u dallaua e vërteta nga e shtrembëra), ditën e konfrontimit të dy grupeve. All-llahu është i fuqishëm për çdo gjë.

[8.42] Kur ju ishit në bregun e afërt të luginës, e ata në bregun e largët të saj (ju ishit kah Medina e ata kah Meka), ndërsa karavani ishte më poshtë prej jush (kah deti). Dhe, sikur të ishit ju ata që njëri tjetrit i keni caktuar takimin, do ta thyenit caktimin. Por All-llahu ishte Ai që zbatojë çeshtjen e kryer tanimë, e të shkatërrojë me argument atë që u shkatërrua dhe të bëjë të jetojë me argumentet atë që jetoi. All-llahu vërtet dëgjon e di.

[8.43] Dhe (përkujto) kur All-llahu t’i dëftoi ty ata në ëndërr, të paktë në numër, e sikur t’i dëftonte shumë, ju do të dobësoheshit e do të grindehsit për çështjen (e luftës), por All-llahu ju shpëtoi. All-llahu vërtet e di shumë mirë se ç’mbajnë kraharorët (zemrat).

[8.48] Përkujto (Muhammed) kur shejtani u dha guxim për veprat e tyre dhe tha: “S’ka kush që mund t’iu mposhtë sot ju, unë jam mbrojtës Juaji!” E kur u ballafaquan të dy grupet, ai u tërhoq prapa e tha: “Unë tërhiqem prej jush, unë shoh çka nuk shihni ju, unë i frikësohem All-llahut. All-llahu ndëshkon shumë ashpër.

[8.54] Ashtu siç ishte traditë e popullit të faraonit dhe atyre që kishin qenë më parë, që i konsideronin të rreme faktet e Zotit të tyre, e Ne për këto të këqija të tyre i shkatërruam, e popullin e faraonit (edhe faraonin) e fundosëm, por të gjithë këta ishin dëmtues të vetes së tyre.

[8.60] E ju përgatituni sa të keni mundësi force, (mjete luftarake e kuaj të caktuar për betejë kundër atyre (që tradhtojnë) e me të, (me përgatitje) ta frikësoni armikun e All-llahut, armikun tuaj dhe të tjerët, të cilët ju nuk i dini (se kush janë), e All-llahu i di ata. çkado që shpenzoni për rrugë të All-llahut, ajo do t’ju konpenzohet dhe nuk do t’ju bëhet padrejtë.

[8.70] O Pejgamber! Thuaju atyre robërve që i keni në duart tuaja se posa të vërejë All-llahu ndonjë të mirë (besim të drejtë e të sinqertë) në zemrat tuaja, Ai u jep edhe më shumë të mira nga ajo çka është marrë nga ju, ua falë gabimet, se All-llahu falë pa masë, se është mëshirues i madh.

[8.72] Është e vërtetë se ata që besuan, u shpërngulën dhe luftuan me pasurinë e tyre në rrugën e All-llahut, dhe që strehuan (të shpërngulurit) dhe u ndihmuan, të tillët janë miq të njëri tjetrit (në ndihmë dhe në trashëgim). Ata që besuan por që nuk u shpërngulën, ju nuk keni përkujdes as ndihmë për ta deri sa të shpërngulen edhe ata. E nëse ata kërkojnë ndihmë prej jush për çështjen e fesë, atëherëjeni të obliguar t’u ndihmoni, përveç nëse është puna kundër një populli që me të keni marrëveshje (nuk mund t’u ndihmoni në luftë kundër atij populli). All-llahu mbikëqyr atë që veproni.
